
Spitali privat “International Medicare”, pjesë e “Sante Plus Group” në Tiranë është bllokuar pasi akuzohet për evasion fiskal.
Sipas prokurorisë, pas hetimeve ka dalë se subjekti në fjalë kishte bërë evazion fiskal në vlerën 1 milion euro përmes faturave të pafiskalizuara.
Në njoftim thuhet më tej se në spital përdoreshin medikamente të dyshuara kontrabanë e të ndaluara për përdorim.
Në pranga ka rënë 62-vjeçari Edmond Zaja, administrator i spitalit, ndërsa janë shpallur në kërkim bashkëaksionerët, 43-vjeçari me shtetësi turke Bilal Kara dhe dhe 32-vjeçarja me shtetësi shqiptare Geriana Arapi.
Njoftimi
“Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”