
Dhjetëra mijëra rezervistë izraelitë po raportojnë në bazat e mobilizimit në Negev, ndërsa Ushtria e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po përgatitet për një ofensivë të re tokësore në Gaza.
Për shumë prej tyre, kjo është hera e tretë ose e katërt që rikthehen në shërbim që prej 7 tetorit, duke sfiduar vështirësitë familjare dhe zhgënjimin ndaj lidershipit ushtarak.
Sipas të dhënave, rreth 40 mijë rezervistë janë thirrur me urdhrin emergjent “Call-Up Order 8”, pjesë e përgatitjeve për Operacionin “Qerret e Gideonit II”, që parashikohet të përfshijë deri në 130 mijë rezervistë dhe pesë divizione të rregullta, përcjell Ynet.
Ushtria nënvizon se operacioni do të zgjasë deri në vitin 2026, me rotacione të trupave dhe një plan dinamik që do të marrë parasysh edhe mundësinë e një marrëveshjeje gjatë operacionit.
Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerali Eyal Zamir, gjatë një vizite në Gaza, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë:
“Siguria e Izraelit kërkon përfshirjen e plotë të të gjitha shtresave të kombit. Kjo është një detyrë qytetare dhe një thirrje kombëtare. Falë rezervistëve tanë, Izraeli qëndron i palëkundur përballë armiqve. Sakrifica juaj është një frymëzim për të gjithë ne.”
Ai shtoi: “Do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën e rezervistëve, duke e konsideruar këtë forcë një pasuri kombëtare të çmuar. Siguria e Izraelit kërkon kontribut të plotë nga të gjithë – kjo është thirrja e orës dhe të gjithë duhet t’i përgjigjemi asaj.”