Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata: Trump shkeli ligjin 147-vjeçar duke dërguar Gardën Kombëtare dhe Marinsat në Los Anxhelos


Një gjykatës federal në Kaliforni ka vendosur se administrata e Donald Trump ka shkelur ligjin 147-vjeçar Posse Comitatus Act kur mobilizoi 4,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa në Los Anxhelos gjatë protestave kundër politikave të tij të emigracionit.

Provat e gjyqit treguan se të paditurit përdorën sistematikisht ushtarë të armatosur dhe mjete ushtarake për të ngritur perimetra sigurie, për të kontrolluar trafikun dhe për të demonstruar një prani ushtarake në dhe rreth Los Anxhelosit,” shkroi gjyqtari Charles Breyer në vendimin e tij 52-faqësh. “Shkurtimisht, të paditurit shkelën Posse Comitatus Act.

Ky vendim përbën një goditje për përpjekjet e Trump për të dërguar trupa në qytete amerikane si pjesë e një fushate kundër krimit, një veprim që kritikët e kanë cilësuar si abuzim të pushtetit, përcjel NBC News.

Breyer theksoi: “Nuk kishte asnjë rebelim dhe as nuk kishte një situatë ku policia civile nuk mund të reagonte ndaj protestave dhe të zbatonte ligjin.

Ai paralajmëroi gjithashtu se planet e Trump për të dërguar Gardën Kombëtare në qytete të tjera mund të çonin në “krijimin e një force kombëtare policore me presidentin si shef.”

Departamenti i Drejtësisë mbrojti vendimin e administratës, duke argumentuar se prania ushtarake ishte e nevojshme për të mbrojtur pronën dhe personelin federal.

Por Breyer sfidoi këtë logjikë gjatë gjyqit, duke pyetur: “Cilat janë kufijtë? Nëse presidenti vendos se ka një kërcënim, do të kemi oficerë federalë kudo?

Gjatë gjyqit, dëshmuan zyrtarë të lartë të Gardës Kombëtare dhe të forcave të angazhuara në mision, të cilët pranuan se vlerësimet e inteligjencës tregonin rrezik minimal ndaj oficerëve të emigracionit. Megjithatë, ata vepruan në përputhje me urdhrat presidencialë për patrullime sigurie dhe kontroll të turmave.

Neve na u tha se mund të bënim këto veprime, sepse kjo përputhej me atë që po kërkonte presidenti,” dëshmoi gjeneralmajori Scott Sherman, komandant i Gardës Kombëtare.

Prokurorja e shtetit të Kalifornisë, Meghan Strong, argumentoi se prania e trupave krijoi “një klimë frike” dhe ndikoi negativisht në ekonominë e qytetit: “U mbyllën restorante, u anuluan ngjarje dhe njerëzit qëndronin në shtëpi nga frika e ushtrisë.

Gjykata urdhëroi ndalimin e përdorimit të trupave në Kaliforni për arrestime, kërkime, patrullime apo kontroll turmash, përveç rasteve kur respektohet plotësisht ligji i Posse Comitatus.