Vendosni fjalën kyçe....

Monika Kryemadhi akuzon SPAK-un: Dosja ime, mjet për të intimiduar bizneset – nuk do ketë gjykim të shkurtuar


Monika Kryemadhi, pas daljes nga SPAK, lëshoi akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe tejkalim kompetencash.

Ajo tha se është njohur me fashikujt e dosjes hetimore, përfshirë pesë CD dhe dokumente voluminoze, që sipas saj tregojnë shkelje serioze të ligjit nga SPAK.

Në të gjitha letër-porositë, qoftë nga SHBA, nga Anglia, Zvicra, Austria, duket haptas një shpërdorim detyre nga ana e prokurorisë, ku vetë institucionet ia kanë bërë me dije,” tha Kryemadhi, duke theksuar se dokumentet që ka marrë do t’i bëhen publike.

Ajo paralajmëroi se nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar dhe se do të përballet në sallën e gjyqit me të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe ata që ajo synon t’i thërrasë vetë.

 “Sigurisht nuk do ketë gjykim të shkurtuar, pasi përveçse do kërkoj dëshmitarët që ka thirrur SPAK, por edhe shumë të tjerë. Sepse të gjithë, mbi 100 e ca, asnjëri nuk ka deponim kundër meje, zotit Meta apo kundër të tjerëve,” deklaroi ajo.

Duke folur për akuzat që i janë ngritur, Kryemadhi u shpreh: “Vepra penale, qoftë për mua apo mamanë time, quhet pse unë kam marrë kredi në 2010 dhe kredia qenka e paligjshme, edhe pse e kam shlyer në një afat kohor prej 4-5 vitesh. Ndërsa mamaja ime e ka shlyer për 9 muaj, ndërkohë që e ka me të ardhura të tjera.

Kryemadhi tha gjithashtu se do të ballafaqojë analizën financiare 580 faqëshe të SPAK me analizën e përgatitur nga eksperti i saj.

Personi që ka bërë analizën financiare për SPAK nuk është ekspert i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa eksperti që ka bërë analizën tonë financiare është i licencuar,” theksoi ajo.

Ish-deputetja u ndal edhe te përfshirja e bizneseve në dosje, duke e cilësuar si një veprim për presion ndaj tyre.

 “Në gjithë dosjen time, mua nuk më duhen llogaritë as të Shefqet Kastratit, as të Samir Manes, as të Ital Betonit, as të Ilir Trebickës… nuk më duhen as kontratat e shtëpisë të blera në Kodrën e Diellit. Këto janë gjëra që SPAK i ka përdorur për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme. Unë e shikoj si tejkalim të kompetencave për të ushtruar intimidim ndaj bizneseve të ndryshme,” tha ajo.

Kryemadhi premtoi se do të thërrasë edhe dëshmitarë të tjerë në gjyq, duke lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për emra të rëndësishëm.

 “Emrat janë shumë interesantë,” përfundoi ajo.