
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka përsëritur akuzat për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se opozita duhet të reflektojë dhe të forcojë bashkëpunimin e brendshëm për të qenë më konkurruese në të ardhmen.
Në një intervistë për “Programin e drekës” në News24, Mediu tha se procesi zgjedhor ishte i deformuar që në fillim.
“Opozita arriti t’i japë materiale plus ODHIR, PE apo Asamblesë së OSBE që raporti final të ishte sa më i plotë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se “marzhi i manipulimit të zgjedhjes ishte jashtëzakonisht i madh”.
Mediu akuzoi mazhorancën se kishte në kontroll të plotë procesin e votës së diasporës dhe përdori administratën për të ndikuar rezultatin.
“Kam qenë mbështetës i votës së emigrantëve, nuk ishte çështje fryme por infrastrukture e cila kontrollohej nga PS,” tha kreu i PR-së, duke shtuar se “arbitri i këtyre zgjedhjeve, ndërkombëtarët, kanë thënë që nuk kemi zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj rezultati është i manipuluar”.
Për Mediun, opozita duhet të nisë një proces të thellë reflektimi dhe analize.
“Ka edhe një analizë që opozita duhet të bëjë brenda saj për pikat e forta dhe të dobëta gjatë kësaj fushate,” u shpreh ai.
“Një opozitë e përçarë nuk mund të fitojë. Kjo kërkon një analizë të PD, koalicionit dhe marrëdhënieve me partitë e tjera,” shtoi Mediu.
Ai kritikoi gjithashtu kodin zgjedhor aktual, duke theksuar se nuk siguron konkurrencë të drejtë.
“Qëndrimi i opozitës për Kodin Zgjedhor duhet të ishte i ndryshëm. Nuk krijonte një garë të hapur, krijonte dy grupe, një që e merr mandatin pa konkurrim dhe tjetri që luftonte. Për një opozitë kjo është e dëmshme, sepse forca e saj është marrëdhënia me qytetarët,” tha ai.
Mediu theksoi nevojën për një organizim të ri dhe të përbashkët të opozitës.
“Konkurrimi i shumë partive opozitare ishte një gabim, pasi votat që nuk përktheheshin në mandate i shkonin PS. Duhet një organizim më i mirë dhe i përbashkuar opozitar pavarësisht problematikave brenda nesh,” deklaroi kreu i PR-së.
Ai shtoi se bojkoti i Kuvendit nuk është zgjidhje.
“Me nisjen e sesionit të ri, opozita duhet të jetë në Kuvend, pasi historia ka treguar që e kundërta nuk ka rezultuar në sukses,” përfundoi Mediu.