Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësi i Hamasit vritet në një sulm izraelit në Gaza


Abu Obaida, zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, është vrarë në një sulm ajror të ushtrisë izraelite në lagjen Rimal të qytetit të Gazës, të shtunën në mbrëmje. Lajmi u konfirmua të dielën nga burime palestineze dhe izraelite.

Një burim palestinez për televizionin “Al-Arabiya” tha se sulmi goditi një apartament ku ndodheshin disa persona dhe se “të gjithë banorët humbën jetën”, raporton Ynet.

Sipas të njëjtit burim, “familja e Abu Obaidës dhe drejtues të Brigadave Izz ad-Din al-Qassam konfirmuan vdekjen e tij pas identifikimit të trupit”.

Emri i tij i vërtetë ishte Hudhayfa Samir Abdullah al-Kahlout. Ai u bë një figurë e njohur për mbështetësit e Hamasit në botën arabe, shpesh i shfaqur në media me një kefije të kuqe që i mbulonte fytyrën për të ruajtur identitetin.

Ai doli në skenë për herë të parë në vitin 2002 si operativ i nivelit të lartë në terren dhe, pas tërheqjes izraelite nga Gaza në vitin 2005, u bë zëdhënësi zyrtar i organizatës.

Ushtria dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet thanë se sulmi u krye nën drejtimin e Komandës Jugore dhe me koordinim të inteligjencës ushtarake.

Sipas autoriteteve izraelite, për të minimizuar viktimat civile u përdorën municione precize, mbikëqyrje ajrore dhe informacione shtesë të inteligjencës. Izraeli akuzoi Hamasin për përdorimin e zonave të banuara si mburoja njerëzore.

Nga ana tjetër, Hamasi e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “goditje mbi një ndërtesë të banuar”, ku, sipas tyre, humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra persona.

Grupi e quajti këtë një përshkallëzim të situatës që synon të përhapë frikë dhe të detyrojë banorët të largohen nga qyteti i Gazës, ndërsa u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve arabe e myslimane të ndërhyjnë.

Abu Obaida kishte paralajmëruar më herët se çdo ofensivë e ushtrisë izraelite në Gaza mund të rrezikonte jetën e pengjeve, duke akuzuar Izraelin për përgjegjësinë mbi sigurinë e tyre dhe duke kërcënuar me publikimin e identitetit dhe fotove të pengjeve që humbnin jetën gjatë sulmeve ajrore.

Ai ishte gjithashtu një figurë qendrore e komunikimeve të Hamasit, duke dhënë rregullisht deklarata televizive, kryesisht përmes Al Jazeera.

Autoritetet izraelite e kishin identifikuar Abu Obaidën që në fillim të konfliktit aktual, duke publikuar emrin dhe foton e tij dhe duke e akuzuar për lidhje të ngushta me komandantë të lartë të Hamasit, përfshirë Mohammed Sinwar, i cili u vra në maj në Khan Younis.