
Tensionet mes Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe Drejtorit të CIA-së, John Ratcliffe, janë thelluar pasi Gabbard publikoi emrin e një oficeri të fshehtë të agjencisë në një listë personash që u hoqi lejet e sigurisë, raportojnë burime të shumta aktuale dhe ish-zyrtarë të inteligjencës për NBC News.
Ky hap ka alarmuar stafin e CIA-s dhe ka nxitur një tjetër përplasje mes dy drejtuesve të lartë të shërbimeve sekrete amerikane, pas mosmarrëveshjeve të mëparshme mes tyre.
Sipas burimeve, Gabbard ka qenë nën presion për të rifituar besimin e presidentit Donald Trump, pasi më herët kishte humbur favorin e tij për shkak të një deklarate dhe një dëshmie publike për kapacitetet bërthamore të Iranit.
Kur javën e kaluar shpalli heqjen e lejeve të sigurisë për 37 zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, Gabbard deklaroi se disa prej tyre ishin përfshirë në “politizimin apo armëzimin e inteligjencës” dhe se ajo po vepronte me urdhër të presidentit.
Vetë Trump, gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën, e lavdëroi publikisht: “Ke zbuluar disa gjëra interesante, Tulsi… Po bëhesh gjithnjë e më shumë një yll,” tha ai.
Megjithatë, burime të brendshme të CIA-s e kanë kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës, duke theksuar se Gabbard dhe zyra e saj nuk kishin koordinuar siç duhet vendimin me agjencinë përpara se të revokonin lejet e sigurisë. “ODNI nuk u konsultua në mënyrë domethënëse me agjencinë,” tha një zyrtar amerikan për NBC News.
Zyra e Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare e ka mbrojtur veprimin, duke thënë se masa synon të sigurojë që “individët që kanë shkelur besimin duke politizuar, manipuluar ose nxjerrë të dhëna të klasifikuara, të mos kenë më mundësi ta bëjnë këtë”.
Në një reagim publik, zëdhënësja Olivia Coleman shtoi se “nuk është zbuluar asnjë oficer në mbulim, pasi lista përmbante vetëm emra dhe jo emra institucionesh”.
Ish-zyrtarë të inteligjencës e kanë cilësuar këtë veprim si të pamatur dhe të rrezikshëm, duke paralajmëruar se publikimi i emrit të një oficeri të fshehtë mund të rrezikojë jetën e tij dhe të dëmtojë marrëdhëniet me qeveri të huaja.
Larry Pfeiffer, ish-zyrtar i lartë i inteligjencës, tha: “Është thjesht çështje logjike të konsultohesh me agjencinë e prekur përpara se të heqësh një leje sigurie, sidomos kur bëhet publikisht.”
Analistja e CIA-s, emri i së cilës nuk po publikohet për arsye sigurie, kishte punuar ngushtësisht për përgatitjet e samitit në Alaskë mes Trump dhe Vladimir Putin.
Pak ditë më vonë, ajo u njoftua se leja e saj e sigurisë ishte revokuar, duke i dhënë fund karrierës së saj në agjenci.
Ky episod, sipas analistëve, tregon jo vetëm përçarjen mes Gabbard dhe Ratcliffe, por edhe pasojat e një spastrim të gjerë dhe të paparashikueshëm të zyrtarëve të karrierës që perceptohen si jo mjaftueshëm besnikë ndaj administratës aktuale.