
Në skenën politike ndërkombëtare, deklaratat e fundit të Donald Trump kundër George dhe Alex Soros kanë krijuar bujë të madhe.
Në një mesazh të publikuar më 27 gusht 2025 në Truth Social, presidenti amerikan akuzoi miliarderin filantrop dhe djalin e tij si “psikopatë të së majtës radikale” dhe kërkoi ndjekjen e tyre penale nën Ligjin RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act), një instrument ligjor i krijuar për të luftuar krimin e organizuar.
Trump i portretizoi Sorosët si përgjegjës për “protesta të dhunshme” dhe “dëme ndaj Amerikës”, duke e ngritur retorikën politike në një nivel të ri polarizimi.
Kërcënimi i tij është i pazakontë për shumë arsye: RICO është një ligj federal që përdoret tradicionalisht kundër mafias dhe grupeve kriminale të strukturuara.
Open Society Foundations (OSF), organizata e themeluar nga Soros, reagoi menjëherë duke i cilësuar akuzat “të jashtëzakonshme dhe të rreme” dhe duke theksuar angazhimin e saj për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Por ajo që ndodh në Shqipëri është një pasqyrë akoma më dramatike e kontradiktave politike.
Në vend që të ofrojë reflektim mbi rolin e OSF-së dhe Sorosit në zhvillimin politik të vendit, Partia Demokratike (PD), e rithemeluar nga Sali Berisha, e ka përdorur këtë zhvillim si material propagandistik për të forcuar narrativën e saj kundër establishmentit ndërkombëtar, duke e kthyer ekszaltimin në armë politike.
OSF dhe Shqipëria: Nga mbështetja e PD-së te konsolidimi i PS-së
Pas viteve ’90, OSF u përfshi fuqishëm në vendet ish-komuniste, duke mbështetur tranzicionin drejt demokracisë përmes fondeve, bursave studimore, mbështetjes për median dhe reformave institucionale. Shqipëria nuk bëri përjashtim.
Në vitet e para të pluralizmit, PD-ja dhe Sali Berisha përfituan nga ndihma e Sorosit për pajisje, programe arsimore dhe riorganizim institucional.
Në vitin 2005, kur PD-ja u rikthye në pushtet, Soros në një intervistë në Top Channel e cilësoi “të shkëlqyer” bashkëpunimin me qeverinë dhe Kryeministrin Berisha.
Ky fakt historik dëshmon se në dekadat e para të tranzicionit, OSF dhe PD kishin marrëdhënie të mira, në kontrast të plotë me retorikën e sotme që e portretizon Sorosin si armikun kryesor të së djathtës shqiptare.
Nga ana tjetër, OSF u bë aktor kyç në Reformën në Drejtësi dhe proceset e konsolidimit të pushtetit të Partisë Socialiste (PS). Përmes projekteve të financuara nga organizata ndërkombëtare, OSF kontribuoi në ndërtimin e një elite të re teknokratike që sot dominon administratën dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Ky rol është përdorur shpesh si argument politik nga opozita për të akuzuar PS-në për kapje të shtetit.
Mjaft, Rilindja dhe Republika e Re – Laboratorët politikë të tranzicionit
Një nga investimet më të dukshme politike të Sorosit në Shqipëri ishte mbështetja për lëvizjen qytetare Mjaft!, e cila më pas u bë Rilindja brenda PS-së. Kjo lëvizje ndryshoi fytyrën e Partisë Socialiste, duke sjellë në pushtet një elitë të re politike që sot kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet.
Në anën tjetër, Republika e Re u prezantua si një projekt modernizues për PD-në, por nuk kishte rrënjë konservatore. Përkundrazi, ajo u dominua nga figura të afërta me struktura të mbështetura nga OSF dhe grupe ndërkombëtare liberale.
Në vend që të ndërtonte një parti të djathtë me profil të qartë ideologjik, kjo lëvizje shndërroi PD-në në një projekt teknokratësh pa vizion të qëndrueshëm politik.
Rithemelimi – Një riformatim, jo transformim
Pas krizës së PD-së dhe rrëzimit të Bashës, Sali Berisha nisi Rithemelimin si një përpjekje për të rikthyer partinë në rrugën e saj të dikurshme konservatore.
Por ky proces nuk zhduku figurat e “Republikës së Re” — përkundrazi, i rithemeloi ato si pjesë të elitës drejtuese të partisë. Në praktikë, kjo tregon që Rithemelimi nuk ishte një riorganizim ideologjik, por një riformatim i establishmentit ekzistues.
Sot, shumë prej atyre që festojnë deklaratat e Trump kundër Sorosit janë vetë produkt i sistemit politik që Sorosi ndihmoi të ndërtonte.
Ndërkohë, figura të pakta që përfaqësojnë vërtet konservatorizmin dhe kanë lidhje reale me kampin republikan në SHBA, mbetën jashtë listave të deputetëve dhe strukturave drejtuese. Kjo është dëshmi e një paaftësie strategjike, ose zgjedhjeje të qëllimshme për të ruajtur status quo-në politike.
Ekszaltimi si teatër politik
Sot, eksaltimi i PD-së ndaj deklaratave të Trump është një akt i pastër propagandistik.
Ai përdoret për të treguar një “aleancë ideologjike” me Trump-in, ndërkohë që realiteti historik dëshmon të kundërtën: PD-ja është formësuar në pjesë të madhe nga projektet e mbështetura nga Sorosi.
Ky dualizëm e bën opozitën jo serioze në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe e lejon PS-në të vazhdojë të qeverisë pa sfida reale.
11 Maji – Mundësia e humbur për ndryshim
Data 11 maj 2025 shënoi momentin kur Berisha mund të sillte ndryshimin e madh: të rinovonte partinë, të krijonte një linjë të qartë konservatore dhe të ndërtonte ura me pushtetin republikan në Washington. Por ai vendosi të rithemelonte sorosizmin brenda PD-së, duke ringjallur elitën e vjetër nën një emër të ri.
Kjo është arsyeja pse PD-ja nuk shihet si një partner serioz nga amerikanët, pavarësisht 6 milionë dollarëve të shpenzuara në lobim për të hequr “non-gratën” e Sali Berishës.
Në fakt, Berisha dhe familja e tij do të mbeten persona non grata edhe nëse Trump godet Sorosin, sepse Rithemelimi u kujdes të eliminojë çdo individ që kishte qasje reale në paradhomën e Shtëpisë së Bardhë.
Sot, administrata e re amerikane ka njohuri të plotë për këto manovra dhe e sheh Rithemelimin si një riformatim të establishmentit të vjetër, jo si një forcë konservatore të besueshme.
Në këtë mënyrë, opozita shqiptare vazhdon të japë shembullin më të qartë të një partie që përdor retorikë të fortë, por pa koherencë ideologjike dhe pa strategji për të ndërtuar besim te partnerët ndërkombëtarë.
Një opozitë pa profil ideologjik
Ky eksaltim ndaj sulmit të Trump kundër Sorosit është një tjetër shfaqje e hipokrizisë politike në Shqipëri. Opozita që pretendon të luftojë ndikimin e Sorosit është në fakt një produkt i atij ndikimi.
Në vend të vizionit konservator, kemi një rithemelim të establishmentit që e ka humbur busullën ideologjike.
Pa reflektim të thellë dhe ndarje të qartë me të kaluarën, PD-ja do të mbetet një parti që nuk merret seriozisht nga aleatët ndërkombëtarë dhe që i shërben më shumë mbijetesës së pushtetit të PS-së sesa interesit publik./ Hashtag.al