
Partia e Lirisë ka denoncuar sot mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në disa lagje të kryeqytetit. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa, tha se situata në Sauk, Mjull Bathore dhe Selitë është “një turp kombëtar dhe dëshmi e paaftësisë së qeverisë dhe bashkisë”.
Sipas tij, edhe pse qytetarët paguajnë më shumë, premtimi i kryeministrit Edi Rama për 24 orë ujë në ditë ka mbetur i pambajtur. “Pas më shumë se një dekade pushtet, qytetarët e Tiranës vazhdojnë të jetojnë me ndërprerje të vazhdueshme të ujit”, tha Distafa.
Ai kujtoi edhe vendimin e vitit 2018 për rritjen e çmimit të ujit me 40%, duke e cilësuar një tjetër premtim të dështuar. “Qytetarët paguajnë sot më shumë për një shërbim të pamjaftueshëm”, theksoi ai.
Deklarata e plotë e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Artan Distafa:
“Situata e furnizimit me ujë të pijshëm në Tiranë dhe në shumë qytete në mbarë Shqipërinë, është bërë një turp kombëtar dhe një dëshmi e qartë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe bashkisë. Tri lagje të kryeqytetit, Sauk, Mjull Bathore dhe Selita, përballen vazhdimisht me mungesë uji. Banorët e tyre janë të detyruar të përdorin depozita personale ose të presin furnizim me autobote, një gjendje e papranueshme për një kryeqytet europian që pretendon të ketë standarde minimale infrastrukturore.
Kryeministri Edi Rama premtoi se brenda mandatit të parë do të zgjidhej çështja e ujit të pijshëm dhe Tirana do të kishte furnizim 24 orë në ditë. Ky premtim është bërë tashmë histori boshe, pas më shumë se një dekade pushtet, qytetarët e Tiranës vazhdojnë të jetojnë me ndërprerje të vazhdueshme të ujit, duke u përballur me shpenzime të shtuara.
Situata bëhet edhe më skandaloze kur kujtojmë se në vitin 2018 kryebashkiaku Erion Veliaj vendosi të rrisë çmimin e ujit me 40%, duke u justifikuar se qytetarët do të merrnin “ujë me cilësi Korçe dhe çmim Bathoreje”. Ky premtim, si shumica e premtimeve të qeverisë dhe bashkisë, mbeti i pambajtur. Qytetarët paguajnë sot më shumë për një shërbim të pamjaftueshëm dhe të pakualifikuar, ndërsa standardet reale të furnizimit mbeten larg realitetit.
Ky dështim nuk është thjesht një problem teknik, por një shkelje e drejtpërdrejtë e interesit të qytetarëve. Për më shumë se një dekadë, qytetarët janë tallur me propagandë dhe premtime boshe, ndërkohë që fondet dhe investimet e shumta janë përdorur jo për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por për projekte simbolike dhe klane klienteliste.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë angazhohet publikisht se çdo qytetar i Tiranës, pa dallim, do të ketë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm. Ky është një prioritet kryesor dhe i patjetërsueshëm. Ne besojmë se uji është një e drejtë themelore njerëzore dhe se asnjë qytetar nuk duhet të vuajë për të.
Ndërkohë ne kërkojmë të ndërmeren masa konkrete në mënyrë imediate në shërbim të qytetarëve dhe lehtësim të jetës së tyre
1. Furnizim të pandërprerë me ujë për të gjitha lagjet e Tiranës, duke eliminuar ndërprerjet dhe mbështetur sistemin në mënyrë të qëndrueshme.
2. Rivlerësim të tarifave dhe investimeve në sektorin e ujit, për të garantuar që qytetarët të marrin shërbim me cilësi reale dhe të paguajnë çmim të drejtë.
3. Transparencë dhe monitorim publik të çdo investimi në infrastrukturën e ujit, për të eliminuar çdo keqpërdorim dhe shpërdorim të fondeve.
4. Politika sociale dhe subvencione për familjet më të varfra, që furnizimi me ujë të mos jetë luks, por e drejtë themelore.
Është koha që pushteti qëndror dhe vendor të ndalen së mashtruari qytetarët. Nuk mund të ketë zhvillim dhe standarde europiane në kryeqytet, nëse qytetarët vazhdojnë të presin për ujë dhe të paguajnë më shumë për më pak. Qytetarët meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe jo të vuajnë për ujë të pijshëm sot në vitin 2025″.