
Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje FBI-së dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të përfshijnë Shqipërinë në hetimet për aktivitetet e George dhe Alex Soros.
Deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje të ngushta me familjen Soros dhe për përfitime abuzive nga fondet e tyre.
“Edi Rama hesht si ‘fija e barit’, edhe pse kanë kaluar katër ditë që kur Presidenti Trump përcaktoi George dhe Alex Soros si ‘subjekte të ligjit RICO’, me të cilin në SHBA hetohen individët dhe organizatat e strukturuara mafiozo-kriminale,” deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, miqësia e Ramës me familjen Soros është e njohur publikisht.
“Nëse George dhe Alex janë armiqtë e Trump, të Amerikës dhe të Shqipërisë, ata ndërkohë janë miqtë e ngushtë të Edi Ramës, siç e dëshmon prania e tij në dasmat e të dyve.”- u shpreh ai.
Deputeti i PD-së shtroi edhe pyetje të drejtpërdrejta për kryeministrin: “Përse hesht Edi Rama? Përse nuk del të deklarojë publikisht miqësinë me Sorosët, siç bëri me mikun e tij tjetër Charles McGonigal, kur ky i fundit po hetohej në Amerikë? Ne i dimë arsyet e heshtjes! Çdo shqiptar i di shumë mirë arsyet.”
Ai paralajmëroi se hetimet e pritshme në SHBA do të përfshijnë edhe Shqipërinë.
“Një hetim i pritshëm në SHBA për aktivitetet e Soros në Amerikë dhe në botë do të përfshinte pa asnjë dyshim edhe Shqipërinë, laboratorin e preferuar të kësaj organizate famëkeqe. Ky hetim do të përfundonte drejtpërdrejtë te Edi Rama dhe zonjat Soros-Rama, Linda dhe Delina.”- tha Këlliçi.
Këlliçi theksoi se ndryshimi i administratës në SHBA ka dobësuar mbrojtjen politike për Ramën: “Kësaj radhe në Zyrën Ovale nuk është administrata e majtë Biden, kohë kur në Shtëpinë e Bardhë, Alex Soros hynte si në shtëpinë e vet, duke lobuar, ndër të tjera, edhe për pushtetin kriminal të mikut të tij në Tiranë, Edi Rama, dhe kundër opozitës shqiptare.”
Në përfundim, PD përsëriti thirrjen për hetim të plotë.
Pa hetuar Edi Ramën, i cili familjarisht është përfitues kryesor abuziv i fondeve të taksapaguesve amerikanë, dhe që e ka kthyer Shqipërinë në një ‘fermë kafshësh’ eksperimentale të Fondacionit Soros, asnjë hetim nuk mund të jetë i plotë dhe as i drejtë,” përfundoi Këlliçi.