
Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit, që këtë sezon sipas tij, pritet të jetë edhe i ashpër se vitin e shkuar.
Në një mesazh me video, Brataj tha se kategoritë më të rrezikuara janë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje shoqëruese.
Ai tha se baza për parashikimin e asaj që pritet të ndodhë është gjendja e gripit në hemisferën e jugut, përkatësisht Australia, ku infektimet janë në nivele të larta.
“Një mesazh të shkurtër po shumë të rëndësishëm. çfarë na pret vjeshtë-dimrin 2025. Të flasim pak për gripin që vjen. Ne zakonisht shohim të dhënat nga hemisfera e jugut dhe pikë referimi është Australia ku infektimet janë shumë të larta dhe numri i rasteve të reja është mbi 70 për qind. Numri i shtrimeve është mbi 50 për qind.
Në Shqipëri dhe Evropë pritet të vijë virusi që qarkullon tani në Australi. Personat më të rrezikuar janë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.
çfarë duhet të bëjmë. Si çdo vit bëhet vaksina e gripit që parandalon në mënyrë shumë më të madhe infektimin. Duke parë shifrat e hemisferës së jugut, pritet që intensiteti i gripit këtë vit pritet të jetë shumë më i lartë se ai i vitit të kaluar. Prandaj vaksinimi është I domosdoshëm dhe duhet të jetë arma kryesore e mbrojtjes. Në vend të parë është personeli mjekësor që duhet të vaksinohet dhe pastaj edhe kategoritë e lartpërmendura.” – tha Brataj.