Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pas shpalljes së rezultateve nga KQZ: 11 maji ishte farsë elektorale, PD nuk i njeh zgjedhjet


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, duke i cilësuar ato si një “farsë elektorale”.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se Partia Demokratike nuk do t’i njohë rezultatet e miratuara sot nga Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

PD nuk i njeh zgjedhjet,” deklaroi ai. “Përfaqësuesit tanë mbajtën një qëndrim dinjitoz në komision, por e vërteta është se këto ishin një farsë e vërtetë elektorale.

Berisha shtoi se procesi zgjedhor është zhvilluar nën presione, blerje votash dhe deformim masiv të rezultatit, duke i cilësuar zgjedhjet si një skenar të parapërgatitur për të mbajtur pushtetin.

Ky proces nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme që meriton populli shqiptar,” u shpreh ai.

Deklarata e Berishës vjen vetëm pak minuta pas vendimit të Komisionit Rregullator të KQZ-së, i cili me tre vota pro dhe dy kundër miratoi projektvendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ky hap shënon mbylljen zyrtare të procesit zgjedhor dhe i hap rrugën konstituimit të Kuvendit të ri. Seanca e parë pritet të zhvillohet së shpejti, ku do të konstituohet legjislatura e re dhe do të betohen deputetët e zgjedhur.