Vendosni fjalën kyçe....

14 vatra zjarri në 24 orë, 3 ende aktive



Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në 24 orët e fundit janë raportuar gjithsej 14 vatra zjarri në vend.

Nga këto, 3 vatra vijojnë ende aktive, 2 janë nën monitorim, ndërsa pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Në Vlorë, në pyllin e Pishë-Poros, zjarri i nisur më 25 gusht vijon të digjet me intensitet të ulët, ndërsa në terren po punojnë zjarrfikës, forca të FA dhe bashkisë. Ndërsa në Devoll, rreth 70 forca zjarrfikëse, bashkiake dhe vullnetarë janë angazhuar për shuarjen e flakëve në një sipërfaqe pyjore.

Ndërkohë, vatrat në Skrapar, Pezë dhe Korçë janë izoluar dhe po mbahen në monitorim.

Njoftimi:

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave:
• 3 janë ende aktive
• 2 janë nën monitorim
• pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive

Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim

Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake.

Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

Korçë (Parku Natyror Gërmenj)
Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.