
Viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë me një risi të rëndësishme për arsimin parauniversitar, pasi për herë të parë në kurrikulën e klasës së katërt do të përfshihen njohuritë bazë mbi inteligjencën artificiale.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini” në Paskuqan, ku inspektoi laboratorët smart të sapoinstaluar.
“Rreth 35 mijë fëmijë kanë mësuar si të kodojnë, por nga ana tjetër jemi duke zhvilluar kurrikulën në TIK dhe kemi miratuar këtë vit kurrikulën e re për klasat e katërta, një kurrikul e cila për herë të parë do të sjellë bazat e njohurive tek nxënësit për inteligjencën artificiale”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja theksoi se ky zhvillim shkon paralelisht me programin e pajisjes së shkollave me laboratorë smart, që pritet të përfshijë mbi 600 institucione arsimore deri në vitin 2026.
“Kjo infrastrukturë do të mundësojë jo vetëm zbatimin e kurrikulës së re në klasën e katërt, por edhe zhvillimin e njohurive TIK deri në gjimnaz”, tha ajo.
Manastirliu njoftoi gjithashtu se për vitin e ri shkollor janë siguruar tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori të caktuara nxënësish në shkollat e mesme, që janë në vështirësi ekonomike apo sociale.
“Jemi duke punuar për shpërndarjen e teksteve falas për të gjitha nivelet e arsimit bazë, por edhe për gjimnazet, ku janë 16 kategori, rreth 12.500 nxënës të cilët përfitojnë librat falas falë mbështetjes së qeverisë. Në total janë 236 mijë nxënës që mbështeten çdo vit përmes këtij programi”, tha ministrja.
Një tjetër risi për këtë vit është edhe dixhitalizimi i menaxhimit të planeve mësimore. Përmes platformës SMIP, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave do të kenë mundësi të hedhin online planet dhe kalendarët vjetorë, duke lehtësuar monitorimin dhe përmirësimin e procesit mësimor.
“Për të parën herë mësuesit dhe drejtoritë e shkollave do të mund të hedhin në sistemin SMIP të gjithë planet e tyre vjetore dhe kalendarët e aktiviteteve, për të bërë të mundur një auditim më të shpejtë dhe përmirësim të vazhdueshëm të procesit të mësimdhënies”, shtoi Manastirliu.
Ministrja nënvizoi se integrimi i teknologjisë dhe mbështetja e mësuesve mbeten prioritet. “Në fokusin tonë janë nxënësit dhe mësuesit. Synojmë që nxënësit të rriten me aftësi digjitale dhe mësuesit të përfitojnë trajnime në kuadër të Programit të Zhvillimit Profesional, duke përdorur metoda inovative të mësimdhënies”, deklaroi ajo.