Vendosni fjalën kyçe....

Avokatët e Veliajt: SPAK i dorëzoi dosjen në USB, por Veliaj nuk ka akses – pengohet mbrojtja efektive


Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar sot ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke akuzuar institucionin se po pengon të drejtën e klientit të tyre për një mbrojtje të plotë dhe efektive.

Sipas tyre, edhe pse është bërë një kërkesë zyrtare për të marrë kopje fizike të dosjes hetimore, SPAK ka refuzuar duke u dorëzuar avokatëve vetëm një USB me materialet përkatëse.

Në kushtet e izolimit ku ndodhet Veliaj, kjo formë e aksesit, sipas mbrojtjes, është praktikisht e papërdorshme.

Në reagimin e tyre, avokatët theksojnë:
“Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të pasur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.”

Avokatët shtojnë se edhe kërkesa për të zhvilluar takime me avokatët ndërkombëtarë të Veliajt është refuzuar nga SPAK.
“Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.”

Duke folur për qasjen e SPAK ndaj hetimit, mbrojtja e Veliajt përdor një gjuhë të ashpër:
“Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin ‘në fillim arresto, pastaj heto’. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.”

Avokatët e Veliajt paralajmërojnë se kjo situatë do të jetë një element kyç në ankimimin që po përgatitet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e cilësuar trajtimin aktual si shkelje flagrante të të drejtave themelore të klientit të tyre.