Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në tunelin e Murrizit 22-vjeçari me 2 kallashnikovë në makinë, dyshohet se do t’i shiste për grupe kriminale


Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Tuneli”, duke arrestuar një 22-vjeçar që po transportonte nga Burreli në Tiranë dy armë zjarri kallashnikov dhe katër krehra, të fshehura në bagazhin e automjetit.

I riu u ndalua në tunelin e Murrizit, ndërsa dyshohet se armët do të shiteshin për llogari të grupeve kriminale në Tiranë. 

Njoftimi:

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.

U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.

Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:

D., 22 vjeç, banues në Burrel.

Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.