Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen në Fier 3 të kërkuar nga Italia për trafik droge


Policia e Shtetit ka finalizuar tre operacione të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”, gjatë të cilave u arrestuan në Fier tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit akuzohen si pjesëtarë të një organizate kriminale që gjatë periudhës qershor–dhjetor 2024 ka trafikuar sasi të mëdha narkotikësh, me qëllim shpërndarjen në qytetin e Riminit. Gjykata e Riminit u ka caktuar atyre masën e sigurisë “arrest në burg”, me një maksimum dënimi deri në 10 vite heqje lirie.

Njoftimi:

“Finalizohen 3 operacione të tjera nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohen operacionet policore të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier;

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier;

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.

Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali”, thuhet në njoftimin e policisë.