
Gjermania nuk do e mbështesë njohjen e një shteti palestinez, tha të martën kancelari Friedrich Merz, pavarësisht thirrjeve në rritje që Berlini të ndryshojë qëndrimin e tij mes luftës brutale në Gaza.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin me kryeministrin kanadez Mark Carney, Merz deklaroi se Gjermania nuk do t’u bashkohej aleatëve të saj Kanadasë, Australisë dhe Francës në planet e tyre për të njohur Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e ardhshëm.
“Qeveria kanadeze dhe kryeministri kanadez janë në dijeni të qëndrimit të qeverisë federale gjermane në lidhje me njohjen e mundshme të Palestinës si shtet. Ne nuk do e mbështesim këtë nismë”, tha udhëheqësi konservator, shkruan AA.
Kur u pyet nëse qëndrimi i qeverisë gjermane për njohjen do ndryshonte në dritën e sulmeve të fundit ushtarake izraelite në Gaza, përfshirë sulmin e së hënës në spital që vrau të paktën pesë gazetarë e disa punonjës shëndetësorë, Merz u përgjigj negativisht.
“Aktualisht nuk i konsiderojmë kushtet për njohjen e shtetit të përmbushura në asnjë mënyrë, dhe si të tilla, mbetemi të ndarë për këtë çështje. Ngjarjet e ditëve dhe orëve të fundit nuk e kanë ndryshuar qëndrimin tonë. Nuk do e ndjekim këtë hap nëse shfaqet në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të vjeshtës. Por edhe një herë, të dy qeveritë janë të vetëdijshme për pikëpamjet tona të ndryshme për këtë çështje”, shtoi ai.