
Pothuajse një javë pasi Hamasi pranoi propozimin e fundit për armëpushim në Gaza nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit, Izraeli ende nuk ka reaguar – edhe pse kryeministri Benjamin Netanyahu pretendon se po fillon “menjëherë” negociatat për të liruar të gjithë pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës.
Heshtja pasqyron një ndryshim themelor në qasjen e Izraelit që i ka hutuar ndërmjetësit dhe familjet e pengjeve të mbetura, të cilët e kanë akuzuar Netanyahun se ka braktisur dhe sakrifikuar të dashurit e tyre.
Pas 18 muajsh që është pajtuar vetëm me marrëveshje të pjesshme, me faza, për armëpushim, Netanyahu tani po kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do siguronte lirimin e të gjithë pengjeve dhe do t’i jepte fund luftës tërësisht – sipas kushteve të Izraelit. Ky ndryshim i politikës vjen ndërsa kryeministri përshpejton njëkohësisht planet për një sulm masiv ushtarak në qytetin e Gazës, duke ndjekur një strategji të dyfishtë negociuese ndërsa zhvillon luftë për të “mposhtur Hamasin”, shkruan CNN.
Të enjten, Netanyahu deklaroi se i kishte udhëzuar ekipit të tij që të fillonte menjëherë negociatat për kthimin e të gjithë pengjeve dhe t’i jepte fund luftës në Gaza. Por ai e bëri këtë pa përmendur asnjëherë propozimin që është aktualisht në tryezë – i cili kërkon një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve. Propozimi i fundit është i ngjashëm me armëpushimin 60-ditor që Netanyahu pranoi muajin e kaluar, vetëm me kushte më të favorshme për Izraelin, pasi Hamasi tregoi fleksibilitet në numrin e të burgosurve që do të liroheshin dhe madhësinë e perimetrit të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu theksoi vazhdimin e avancimit të planeve për sulmin masiv të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës. Izraeli ia atribuon lëshimet e Hamasit kërcënimit të ofensivës së tij të afërt në Qytetin e Gazës, dhe zyrtarët izraelitë thonë se besojnë se kërcënimi i ripërtërirë i presionit të rëndë ushtarak do e bëjë Hamasin më fleksibël për të pranuar kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës.
Netanyahu nuk ka shpjeguar se çfarë e shkaktoi këtë ndryshim dramatik nga një kornizë negociuese e pjesshme në një kornizë gjithëpërfshirëse, dhe mesazhet e tij të përziera i kanë lënë shumë njerëz në Izrael dhe jashtë vendit të hutuar: për një vit e gjysmë qeveria refuzoi të diskutonte përfundimin e luftës dhe pranoi vetëm të negocionte marrëveshje armëpushimi në faza dhe të pjesshme. Tani ai po zgjedh vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ka ngurruar t’i përgjigjet propozimit të fundit të ndërmjetësve që u pranua nga Hamasi,
Basem Naim, një anëtar i lartë i byrosë politike të Hamasit, tha në një deklaratë: “Lëvizja ka paraqitur gjithçka të nevojshme për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe është ende gati ta bëjë këtë me gjithë përgjegjësinë kombëtare dhe me mendje të hapur.” Naim tha se Netanyahu ka një “dritë jeshile” nga administrata Trump për të vazhduar atë që ai e quajti një “lojë të ndyrë”.