
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar rastin e parë të një infeksioni tek një njeri me parazitin New World screwworm – një parazit mishngrënës i rrezikshëm, i sjellë nga një udhëtim në një vend të prekur nga shpërthimi në Amerikën Qendrore.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) bëri të ditur se rasti u identifikua nga Departamenti i Shëndetësisë së Maryland-it dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe u konfirmua më 4 gusht. Bëhet fjalë për një pacient që ishte kthyer nga El Salvador.
“Rreziku për shëndetin publik në Shtetet e Bashkuara nga ky rast është shumë i ulët”, tha zëdhënësi i HHS, Andrew G. Nixon, në një deklaratë për Reuters.
Ky zhvillim ka shqetësuar prodhuesit e mishit dhe fermerët e bagëtive, pasi paraziti mund të ketë pasoja katastrofike për industrinë e gjedhit. USDA (Departamenti Amerikan i Bujqësisë) paralajmëron se një shpërthim mund t’i kushtojë ekonomisë së Teksasit, shteti më i madh prodhues i bagëtive, rreth 1.8 miliardë dollarë në humbje, kosto pune dhe trajtime.
Beth Thompson, veterinerja shtetërore e Dakotës së Jugut, tha për Reuters se autoritetet shtetërore nuk ishin informuar zyrtarisht nga CDC, por morën vesh për rastin në mënyra të tjera.
“Ne e mësuam përmes kanaleve të tjera dhe pastaj u desh të shkonim te CDC për të na thënë çfarë po ndodhte. Ata nuk ishin aspak transparentë”, u shpreh Thompson.
Një zyrtar i Departamentit të Shëndetësisë në Maryland gjithashtu konfirmoi ekzistencën e një rasti, por nuk dha detaje shtesë për shkak të ligjeve mbi privatësinë e pacientit.
Industria e mishit ka kritikuar qeverinë amerikane për vonesën në marrjen e masave parandaluese. Në qershor, Sekretarja e Bujqësisë Brooke Rollins njoftoi ndërtimin e një fabrike të re për prodhimin e mizave sterile në Texas, për të ndaluar përhapjen e parazitit.
Ekspertët paralajmërojnë se prezenca e këtij paraziti është kërcënim serioz për bagëtinë dhe kafshët e egra.
Femrat e mizës screwworm vendosin vezët në plagët e kafshëve dhe njerëzve. Larvat më pas ushqehen me indet e gjalla dhe, nëse nuk trajtohen në kohë, mund të çojnë në vdekje.
Një burim nga industria e mishit i tha Reuters: “Ndërgjegjësimi për këtë rast është ende i kufizuar te përfaqësuesit e industrisë dhe veterinerët shtetërorë, çka e bën të ulët mundësinë e një paniku në treg.”
Megjithatë, tensionet në tregjet e mishit dhe bagëtive pritet të rriten, sidomos pasi çmimet kanë arritur nivelet më të larta në shtatë dekada për shkak të numrit më të vogël të gjedhit në SHBA.
Qeveria amerikane nuk ka konfirmuar ende raste tek kafshët, ndërsa kufiri me Meksikën për importin e bagëtive mbetet i mbyllur që prej nëntorit për të parandaluar futjen e parazitit në vend.