Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtonte pa leje dhe kërcënonte inspektorët duke u prezantuar si shofer i kancelares së SPAK, arrestohet 23-vjeçari në Tiranë,


Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi kishte ndërtuar një banesë pa leje dhe kërcënonte inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), duke u prezantuar si shofer i kancelares së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

I ndaluari është identifikuar si Romario Ibraliu.

Sipas të dhënave, ai i kishte paralajmëruar inspektorët që të mos vepronin dhe të mos e procedonin për ndërtimin e paligjshëm, duke pretenduar se kishte mbrojtje nga një pozicion i rëndësishëm pranë SPAK-ut.

Pas verifikimeve, autoritetet konfirmuan se Ibraliu nuk ka punuar dhe nuk punon në SPAK. Pas konstatimit të objektit pa leje, IMT ka referuar materialet në organet ligjzbatuese për hetime të mëtejshme.

Policia e Tiranës bën me dije se po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe se ndaj 23-vjeçarit do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore të parashikuara për ndërtim të paligjshëm dhe kërcënime ndaj punonjësve të shtetit.