Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Mesdhe, mbyten tre motra të mitura në gomonen me emigrantë


Tre motra të vogla u mbytën kur gomonia që i mbante ato dhe dhjetëra migrantë të tjerë hasi vështirësi në kalimin e rrezikshëm të Mesdheut Qendror nga Libia në Itali, tha të dielën një organizatë bamirëse gjermane për shpëtim detar.

RESQSHIP tha se trupat e motrave, të moshës 9, 11 dhe 17 vjeç, u gjetën brenda gomones, e cila ishte “e mbipopulluar në mënyrë të rrezikshme” dhe ishte goditur nga valë deri në 1.5 metra përpara se një anije shpëtimi të mbërrinte në vendngjarje, shkruan Reuters.

Midis 65 personave të shpëtuar nga anija Nadir e organizatës bamirëse ishin tre gra shtatzëna, fëmijë dhe një foshnjë shtatëmuajshe. Një person ra në det më herët gjatë kalimit dhe mbetet i zhdukur, shtoi RESQSHIP në një deklaratë.

Anija Nadir ndaloi gomonen, e cila ishte nisur nga Zuwara në Libi gjatë natës të premten, pasi u njoftua nga operatori i linjës së shpëtimit Alarm Phone, tha organizata bamirëse.

Roja Bregdetare e Italisë evakuoi 14 persona të shtunën pasdite dhe i çoi ata në ishullin jugor italian të Lampedusës, ku Nadir mbërriti më vonë gjatë ditës me të mbijetuarit e mbetur dhe trupat e tre vajzave.