
Singapori do prezantojë dënime më të ashpra për shkeljet e lidhura me pirjen e cigareve elektronike, duke përfshirë edhe burgim, njoftoi të dielën kryeministri Lawrence Wong.
“Deri tani e kemi trajtuar pirjen e cigareve elektronike disi lehtë. Në rastin më të mirë vendosim një gjobë, por kjo nuk mjafton më,” njoftoi ai gjatë një fjalimi kombëtar.
“Do e trajtojmë këtë si një çështje droge dhe do vendosim dënime shumë më të ashpra.”
Kjo do të thotë dënime me burg dhe dënime më të rënda për ata që shesin cigare elektronike të mbushur me lëndë të dëmshme, tha Wong, duke shtuar se Singapori do të ofrojë rehabilitim për të ata që kanë varësi, shkruan Bloomberg.
Cigaret elektronike janë tashmë të ndaluara në Singapor, me zyrtarët e shëndetësisë që paralajmërojnë se një e treta e atyre që janë kapur janë të mbushura me lëndën anestetike, etomidat. Mjekët zakonisht injektojnë etomidat për të shkaktuar qetësim, por keqpërdorimi i tij mund të shkaktojë halucinacione dhe dështim të përhershëm të organeve.
Singapori po punon për ta riklasifikuar etomidatin si një drogë të paligjshme sipas Aktit të Keqpërdorimit të Drogës. Sipas klasifikimit të ri, përdoruesit e cigareve elektronike me etomidate do të përballen me dënime po aq të ashpra në Singapor sa konsumatorët e drogave të forta si kokaina. Ata do kalojnë nëpër rehabilitim të detyrueshëm ndërsa shkelësit e përsëritur, do dënohen me të paktën një vit burg.