
Policia ka vënë në pranga dy persona pas ngjarjes së ndodhur dje në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri ndaj një automjeti, pas një konflikti për motive të dobëta. Autori i dyshuar 28-vjeçar, qëlloi me armë në drejtim të makinës ku ndodheshin dy shtetas, ndërsa 30-vjeçari që e shoqëronte drejtonte automjetin nga ku u krye sulmi.
Gjatë operacionit u sekuestrua automjeti i përdorur, ndërsa vijojnë kërkimet për armën e zjarrit. Nga hetimet rezulton se të dy palët janë konfliktuar fizikisht para të shtënave.
Përveç dy të arrestuarve, u proceduan penalisht edhe katër persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
Njoftimi:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Quick Response”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, në Kombinat.
Qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin dy shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me ta, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve në afërsi, vihet në pranga autori.
Në pranga vihet edhe një 30-vjeçar, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku autori qëlloi me armë zjarri.
Sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët gjatë ngjarjes, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit.
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
• O. A(V)., 28 vjeç
• S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.