Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni largon kreun e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Pentagonit (DIA), gjeneralin Jeffrey Kruse, si dhe dy komandantë të tjerë të lartë ushtarakë, raportoi Reuters të premten, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.

Ky është hapi më i fundit i administratës së presidentit Donald Trump për të larguar figura kyçe nga strukturat e mbrojtjes.

Ende nuk dihet pse Kruse, i cili drejtonte DIA-n, u shkarkua nga posti i tij.

Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, konfirmoi se krahas Kruse, Hegseth ka urdhëruar edhe largimin e shefit të rezervistëve të Marinës dhe të komandantit të Forcave të Luftës Speciale Detare.

Senatori amerikan Mark Warner, zëvendëskryetar i Komitetit të Përzgjedhur të Senatit për Inteligjencën, e kritikoi ashpër këtë lëvizje. “Shkarkimi i një tjetër zyrtari të lartë të sigurisë kombëtare tregon prirjen e rrezikshme të administratës Trump për ta trajtuar inteligjencën si një provë besnikërie dhe jo si një mekanizëm mbrojtjeje për vendin tonë”, tha ai.

Trump ka shkarkuar disa zyrtarë të tjerë të lartë në muajt e fundit. Në prill, ai largoi gjeneralin Timothy Haugh nga drejtimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), bashkë me disa këshilltarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Në korrik, presidenti urdhëroi shkarkimin e komisioneres së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, pas publikimit të një raporti që tregonte ngadalësim të rritjes së punësimit.

DIA, pjesë e Pentagonit, merret me inteligjencën ushtarake që mbështet operacionet në terren dhe mbledh informacione teknike në shkallë të gjerë, duke u dalluar nga agjenci të tjera si CIA.

Ky zhvillim pritet të ndezë më tej debatet mbi politizimin e institucioneve të inteligjencës dhe ndikimin e vendimeve politike në funksionimin e tyre.