Vendosni fjalën kyçe....

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, reagojnë figurat kryesore politike: Një humbje e madhe për median dhe debatin publik


Gazetari, publicisti dhe analisti i njohur Artur Zheji është ndarë sot papritur nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të madh në median dhe jetën publike shqiptare.

Lajmi i ndarjes së tij ka sjellë një valë reagimesh nga figura të larta të politikës dhe institucioneve të vendit, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjarët, miqtë dhe komunitetin e medias.

Kryeministri Edi Rama, në një reagim të shkurtër, shkroi:
“Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin.”

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Zhejin si një prej zërave më me ndikim dhe më të angazhuar në debatin publik shqiptar.

Në mesazhin e tij, ai u shpreh:
“Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktiv, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e konsideruar humbjen e Zhejit një tronditje, shkroi:
“Miq, gazetari, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmëve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin.”

Ndërsa presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të një intelektuali që, sipas tij, mbrojti fort lirinë e medias dhe parimet e shtetit të së drejtës. Meta shkroi:
“Një intelektual i angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, Zheji udhëhoqi edhe si bashkëkryetar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke dhënë një kontribut të paharruar politik e shoqëror që përherë do të vlerësohet me respekt. Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta.”

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi përmes një mesazhi ku e përshkroi Zhejin si një mendje kritike dhe një gazetar të nivelit të lartë.

Veliaj u shpreh:
“Lajm fort i hidhur ndarja nga jeta e Artur Zhejit! Ngushëllime familjes, të afermve, miqve e kolegëve për humbjen e rëndë të gazetarit dhe publicistit të shquar, që i dha shumë medias shqiptare nga vitet ’90 e deri sot. Arturi ishte një intelektual i spikatur, një mendje kritike dhe një gazetar kalibri që do t’i mungojë shumë publikut. Prehu në paqe mik i mirë!”

Artur Zheji, i njohur për kontributin e tij të gjatë në gazetari, publicistikë dhe analiza politike, do të mbetet një figurë e paharruar për median shqiptare dhe për të gjithë ata që e ndoqën për vite me radhë.