
Kanadaja do heqë shumë tarifa hakmarrëse të importit për mallrat amerikane dhe do shtojë kontaktet me Shtetet e Bashkuara për të vendosur një marrëdhënie të re tregtare dhe sigurie, tha të premten kryeministri Mark Carney.
Tarifat kanadeze për makinat, çelikun dhe aluminin amerikan do mbeten për momentin, tha ai në një konferencë për shtyp në Ottawa, shkruan Reuters.
Carney vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë së fundmi se nuk do vendosnin tarifa për mallrat kanadeze që ishin në përputhje me marrëveshjen tre-kombëshe të tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada, diçka që ai e quajti një zhvillim pozitiv.
“Në këtë kontekst dhe në përputhje me angazhimin e Kanadasë ndaj USMCA-së, po njoftoj sot se qeveria kanadeze tani do barazohet me Shtetet e Bashkuara duke hequr të gjitha tarifat e Kanadasë për mallrat amerikane të mbuluara posaçërisht nga USMCA,” tha ai.
“Kanadaja dhe SHBA-ja tani kanë rivendosur tregtinë e lirë për shumicën dërrmuese të mallrave tona,” shtoi ai, duke përsëritur se krahasuar me partnerët e saj tregtarë, eksportet kanadeze ishin ende subjekt i një niveli të ulët të tarifave amerikane.
Kanadaja ka muaj që zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara mbi një marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie, por të dyja palët nuk janë afër një marrëveshjeje.
Kanadaja dhe Kina janë të vetmet vende që iu kundërpërgjigjën Shteteve të Bashkuara me kundër-tarifa, duke e acaruar shumë administratën amerikane.
“Ne e mirëpresim këtë veprim të Kanadasë, i cili ishte vonuar shumë. Ne mezi presim të vazhdojmë diskutimet tona me Kanadanë mbi shqetësimet e Administratës për tregtinë dhe sigurinë kombëtare”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Carney foli me Donald Trump të enjten. I pyetur nëse Presidenti i SHBA-së i kishte thënë atij se heqja e tarifave do nxiste fillimin e bisedimeve, Carney u përgjigj “Po”.
Carney fitoi zgjedhjet e prillit në mbështetje të një premtimi për t’iu kundërvënë tarifave të Trump, por që atëherë ka marrë gradualisht një ton më të butë.