
Presidenti amerikan Trump ka urdhëruar Pentagonin të dërgojë tre anije luftarake të Marinës për të ndaluar kartelet e drogës në brigjet e Amerikës së Jugut, përfshirë pranë Venezuelës, duke zgjeruar rolin e Pentagonit në luftën kundër kontrabandës së paligjshme të drogës dhe duke intensifikuar një përballje të SHBA-së me presidentin e vendit, Nicolás Maduro.
Anijet do kenë autoritet për të ndaluar dërgesat e drogës, sipas dy personave të njohur me planifikimin, duke i dhënë Marinës një mision të drejtpërdrejtë kundër narkotikëve në Amerikën Latine, në vend të rolit të saj të zakonshëm në mbështetje të Rojës Bregdetare.
Ky veprim vjen pasi presidenti në fillim të këtij muaji udhëzoi Pentagonin të përgatiste skenare për të përdorur forcën ushtarake kundër karteleve të drogës të Amerikës Latine, të cilat ai i përcaktoi si organizata të huaja terroriste në një urdhër ekzekutiv të janarit.
Përveç kësaj, Departamenti i Drejtësisë dyfishoi shpërblimin e tij, në 50 milionë dollarë, për informacionin që çon në arrestimin e Maduros. Administrata e akuzon atë si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe për bashkëpunim me kartelet për të përmbytur SHBA-në me kokainë.
“Akuza e Uashingtonit se Venezuela është e përfshirë në trafikun e drogës zbulon mungesën e besueshmërisë së saj dhe dështimin e politikave të saj në rajon”, tha ministri i jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil.
“Ndërsa Uashingtoni kërcënon, Venezuela përparon me vendosmëri në paqe dhe sovranitet, duke demonstruar se efektiviteti i vërtetë kundër krimit arrihet duke respektuar pavarësinë e popujve”, shtoi ai.

Më herët këtë javë, Maduro tha gjatë një interviste televizive se do armatoste më shumë se 4.5 milionë anëtarë të milicisë në të gjithë vendin.
Vendosja e planifikuar e anijeve vjen një muaj pasi Shtëpia e Bardhë mbështeti kompaninë Chevron në rifitimin e aftësisë së saj për të pompuar naftë në Venezuelë, në një përmbysje të menjëhershme të politikës së saj ndaj diktaturës socialiste, raportoi The Wall Street Journal.
Hollësitë e marrëveshjes janë ende të paqarta, por ajo vjen pas një shkëmbimi të burgosurish që liroi të 10 amerikanët e mbetur të ndaluar nga qeveria venezueliane, thanë njerëz të njohur me çështjen. Në muajt e fundit, Maduro ka marrë fluturime deportimi nga SHBA-të që transportonin emigrantë venezuelianë të paligjshëm.
Anijet Arleigh Burke – USS Jason Dunham, USS Sampson dhe USS Gravely – të cilët ishin të përfshirë në sulmet daj rebelëve Houthi në Jemen në Detin e Kuq, do fillojnë operacionet sapo Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth të nënshkruajë urdhrin, sipas një zyrtari amerikan.
Marina ka qenë prej kohësh e përfshirë në ndalimin e drogës, së bashku me Rojen Bregdetare, dhe ka aftësitë për misionin, tha ish-nënadmirali John Miller, i cili më parë komandonte Flotën e Pestë të SHBA-së në Bahrein. Anijet luftarake ka të ngjarë të mos qëllojnë me raketa kontrabandistët; në vend të kësaj, ato do mbledhin inteligjencë dhe do dërgojnë anije më të vogla për të hipur në anijet e dyshuara për trafik droge, tha ai.
“Mendoj se kjo i dërgon një sinjal të fortë Maduro-s se sulmi i tij narko-terrorist ndaj SHBA-së nuk do të tolerohet më”, tha Miller. Departamenti i Mbrojtjes ka kohë që ka vendosur në dispozicion asete ushtarake amerikane për të mbështetur Rojën Bregdetare që kap rregullisht trafikantët e narkotikëve në Paqësor dhe Karaibe pranë brigjeve të Kolumbisë dhe Venezuelës. Por personeli i Marinës dhe i Korpusit të Marinës Amerikane zakonisht ka qenë në një rol mbështetës, duke vepruar si rezervë në vend që të ndalojë kartelet.
Tani, anijet luftarake do e autorizohen të kapin kontrabandistët e drogës, sipas zyrtarit amerikan.