
Një kishë historike 113-vjeçare në rrezik nga fundosja e tokës po zhvendoset tërësisht – në një lëvizje prej 5 km përgjatë një rruge në veriun e largët të Suedisë.
Struktura e madhe prej druri të kuq në Kiruna që daton që nga viti 1912 u ngjit mbi rimorkio gjigante dhe është në rrugën e saj drejt qendrës së re të qytetit.
Duke udhëtuar me një shpejtësi maksimale prej 500 m në orë, udhëtimi pritet të zgjasë dy ditë.
Qendra e vjetër e qytetit është në rrezik nga çarjet e tokës pas më shumë se një shekulli minierash hekuri. Zhvendosja e kishës është çasti më spektakolar dhe simbolik i zhvendosjes më të gjerë të ndërtesave në Kiruna, që shtrihet 145 km në veri të Rrethit Arktik.
Turma të mëdha njerëzish mbushën rrugët nën qiellin e kaltër të kthjellët, duke parë me habi ndërsa struktura prej druri lëvizte përpara. Barrierat e sigurisë i mbanin njerëzit prapa, por ndërtesa kaloi aq afër sa shumë thanë se ndiheshin sikur pothuajse mund të shtrinin dorën dhe ta preknin.
Personi përgjegjës për zhvendosjen, menaxheri i projektit Stefan Holmblad Johansson, tha: “Është një ngjarje historike, një operacion shumë i madh dhe I ndërlikuar dhe nuk kemi asnjë mundësi gabimi. Por gjithçka është nën kontroll.
Deri në mesin e viteve 2010, ndërtesa të tjera në Kiruna tashmë po zhvendoseshin në terren më të sigurt. Shumica u shembën dhe u rindërtuan, por disa monumente u zhvendosën të paprekura.