Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 14 të plagosur nga sulmi rus në rajonin e Sumit në Ukrainë


Të paktën 14 persona, përfshirë një familje me tre fëmijë, u plagosën gjatë një sulmi rus gjatë natës në rajonin verior të Sumit në Ukrainë, tha të mërkurën kryeministrja e vendit.

Sulmi ndodhi në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po intensifikon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë.

Prokurorët lokalë njoftuan në platformën Telegram se Rusia lëshoi 15 dronë në një sulm ndaj zonës së Okhtyrkës në orët e para të së mërkurës.

Fëmijët e plagosur në sulm, i cili goditi një lagje banimi në qytet, janë të moshës 5 muajsh, 4 vjeç dhe 6 vjeç, shkroi në X kryeministrja Yulia Svyrydenko.

“Rusia vazhdon të shfaqë frikën e saj përmes akteve të terrorizmit të pastër në të gjithë Ukrainën, duke goditur sërish shtëpitë e familjeve dhe fëmijët e tyre të fjetur,” tha ajo.

Moska ka përsëritur se nuk sulmon civilët apo infrastrukturën civile.

Në total, Rusia lëshoi 93 dronë dhe dy raketa për të goditur Ukrainën gjatë natës, njoftoi forca ajrore ukrainase, duke shtuar se kishte rrëzuar 62 dronë dhe një raketë, ndërsa u regjistruan goditje në 20 vende të ndryshme.

Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës raportuan për një “sulm masiv me dronë” në rajonin jugor të Odesës, duke thënë se një person u plagos dhe një zjarr i madh shpërtheu në një objekt energjetik dhe karburantesh.

Zyrtarët e distriktit Izmail në rajonin e Odesës thanë se infrastruktura portuale e qytetit u dëmtua.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj sektorit energjetik të Ukrainës këtë javë. Një sulm ndezi zjarre në një depo nafte që i përket kompanisë shtetërore të Azerbajxhanit SOCAR, ndërsa një tjetër dëmtoi një objekt transporti gazi në rajonin qendror të Poltavës.

Që nga ditët e para të pushtimit të plotë të nisur në shkurt 2022, Rusia ka goditur rregullisht depot e naftës dhe objektet e magazinimit të karburanteve. Ministria e Energjisë njoftoi se vetëm që nga marsi 2025 objektet energjetike të Ukrainës janë sulmuar 2,900 herë.