Vendosni fjalën kyçe....

Në listën e sanksioneve të SHBA-së, edhe gjyqtari i përfshirë në çështjen e Hashim Thaçit



Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj gjyqtarit francez Nicolas Yann Guillou, i njohur për rolin e tij në procedurën paraprake të rastit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Guillou ka autorizuar lëshimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për akuza të lidhura me krime lufte. Ky vendim ka shkaktuar reagimin e ashpër të administratës amerikane, e cila menjëherë ka vendosur sanksione ndaj tij.

Përveç Guillou, sanksione janë vendosur edhe ndaj tre figurave të tjera të Gjykatës Ndërkombëtare Penale: Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang.

Kush është Nicolas Guillou?

Nicolas Guillou u emërua gjykatës në Gjykatën Speciale për Kosovën më 7 shkurt 2017, ku ka kryer funksionin e gjykatësit të procedurës paraprake në disa prej çështjeve më të rëndësishme, përfshirë ato të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Salih Mustafës, Hashim Thaçit dhe bashkakuzuarve të tij, Pjetër Shalës, si dhe Sabit Januzit e Ismet Bahtijarit. Ai ka qenë gjithashtu gjykatës i vetëm në çështjen kundër Isni Kilajt.

Më herët, Guillou ka shërbyer si shef kabineti i kryetarit të Tribunalit Special për Libanin (2015–2019) dhe si prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin Amerikan të Drejtësisë (2012), ku ka ndihmuar në bashkëpunimin gjyqësor mbi kundër-terrorizmin, korrupsionin ndërkombëtar dhe krimin kibernetik.

Karriera e tij përfshin edhe detyra të ndryshme në Ministrinë franceze të Drejtësisë (2006–2012) dhe përvojë si gjykatës hetimor pranë gjykatës së Meaux (2003–2006). Guillou është diplomuar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe europiane në Universitetin e Sorbonës.