
Një 32-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Kurbin, pasi kishte kthyer oborrin e banesës së tij në parcelë kanabisi.
I arrestuari është identifikuar si Hajdar Lama, banues në fshatin Kodër Shullaz, ku gjatë kontrolleve të kryera nga uniformat blu u konstatuan bimët narkotike.
Policia bëri të ditur se operacioni u zhvillua në kuadër të planit operacional “Koordinata”, me përdorimin edhe të dronëve për monitorim nga ajri.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve që po kryejnë në kuadër të planit operacional ‘Koordinata’, duke përdorur dhe dronë, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Kodër Shullaz. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin H. L., 32 vjeç, banues në Kurbin, i cili po kujdesej për bimët narkotike që kishte kultivuar në oborrin e banesës.”
Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia thekson se operacioni antikanabis “Koordinata” po vijon pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit.