Vendosni fjalën kyçe....

Gjenden 6 koka të prera në rrugë në Meksikë


Gjashtë koka të prera janë gjetur në një rrugë në Meksikën qendrore, në një zonë që normalisht nuk shoqërohet me dhunën e karteleve.

Autoritetet lokale e bënë zbulimin herët të martën në mëngjes në një rrugë që lidh shtetet Puebla dhe Tlaxcala.

Policia nuk ka dhënë një motiv për vrasjet dhe as nuk ka thënë se cilat nga grupet kriminale që veprojnë në Meksikë mund t’i kenë kryer ato, shkruan BBC.

Mediat lokale kanë raportuar se në vendngjarje është lënë një batanije me një mesazh që paralajmëron bandat rivale dhe me sa duket është nënshkruar nga një grup i quajtur “La Barredora”, që do të thotë “pastruesi”.

Autoritetet meksikane raportojnë se kokat e gjetura në Tlaxcala i përkisnin disa burrave, ndërsa Prokuroria lokale ka nisur një hetim për ngjarjen, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Ende nuk dihet nëse pas këtij akti qëndron grupi kriminal me të njëjtin emër që vepron në shtetin perëndimor të Guerrero-s, apo arsyet që çuan në këtë masakër.

Përveç trafikut të drogës, rajoni përballet edhe me fenomenin e kontrabandës së karburantit, të njohur si “huachicolea”, që gjeneron miliarda dollarë në vit për grupet kriminale të përfshira.

Deri më tani, autoritetet federale nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për këto vrasje. Ngjarja ndodh në një kohë kur administrata e presidentes Claudia Sheinbaum ka intensifikuar goditjet kundër trafikimit të fentanilit.

Ndryshe nga shtete të tjera të Meksikës, Puebla dhe Tlaxcala nuk njihen zakonisht për dhunë ekstreme të lidhur me kartelet.