
Pas dy vitesh vonesash, qeveria izraelite pritet të finalizojë brenda dy javëve marrëveshjen me Egjiptin, që përfshin eksportin nga fusha e gazit Leviathan, më e madhja në Izrael.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do të eksportojë drejt Kajros 22% të burimeve nga Leviathan dhe 13% të totalit të gazit natyror të vendit gjatë disa viteve.
Kompania NewMed Energy, partnere në fushën Leviathan, e ka përshkruar këtë si marrëveshjen “më të madhe” në historinë e shtetit hebre, duke theksuar se deri në vitin 2028 eksportet izraelite do të trefishohen, sipas Euronews.
Sipas kompanisë, Egjipti do të blejë 130 miliardë metra kub gaz izraelit deri në vitin 2040, me një vlerë që mund të arrijë deri në 35 miliardë dollarë (30 miliardë euro).
Ky projekt është një ndryshim i marrëveshjes së vitit 2019, të nënshkruar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, e cila parashikonte eksportimin e vetëm rreth 60 miliardë metrave kub deri në fillim të viteve 2020.
Marrëveshja i hap rrugë Izraelit të rrisë prodhimin e gazit natyror dhe ta eksportojë atë drejt tregjeve aziatike dhe evropiane, duke garantuar në të njëjtën kohë furnizim të qëndrueshëm për termocentralet egjiptiane dhe duke mbështetur sektorin e gazit të lëngshëm (LNG) të vendit.
Faza e marrëveshjes dhe sasitë e gazit
NewMed Energy (dikur e njohur si Delek Drilling) konfirmoi se marrëveshja do të realizohet me faza.
Fillimisht, Egjipti do të blejë gazin përmes kompanisë importuese Blue Ocean Energy, me 20 miliardë metra kub që do të nisin në gjysmën e parë të vitit 2026, dhe 110 miliardë metra kub shtesë pas zgjerimit të prodhimit të Leviathan, sipas gazetës hebraike Globes.
Kompania e ka cilësuar marrëveshjen si vendimtare, pasi do të lejojë rritjen e kapacitetit të prodhimit nga 21 në 23 miliardë metra kub në vit, duke forcuar pozitën e Leviathan si një nga burimet më të rëndësishme të gazit në rajon.
Plani i eksportit dhe tregu vendas
Sipas planit, deri në vitin 2035, Izraeli do të eksportojë 60% të gazit të prodhuar në këtë fushë, ndërsa 40% do t’i dedikohet tregut vendas për të furnizuar termocentralet e reja.
Vetëm në vitin 2024, fusha Leviathan prodhoi rreth 11 miliardë metra kub gaz, nga të cilat 50% u eksportuan drejt Egjiptit, ndërsa pjesa tjetër u shpërnda mes ekonomisë së brendshme izraelite dhe Jordanisë.
Në aspektin e furnizimit për ekonominë izraelite, NewMed Energy theksoi se zgjerimi do të garantojë që nga vitet 2040 Leviathan të jetë burimi kryesor i gazit në Izrael, duke mbuluar pjesën më të madhe të konsumit kombëtar deri në fund të jetës së fushës.