Vendosni fjalën kyçe....

Akademia Amerikane e Pediatrisë kundërshton CDC-në, vazhdon të rekomandojë vaksinën COVID-19 për fëmijët



Ndërsa Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) nuk rekomandojnë më vaksinën COVID-19 për fëmijët, një nga grupet më të mëdha mjekësore në SHBA po shkon kundër këtij udhëzimi.

Të martën, American Academy of Pediatrics (AAP) publikoi orarin e saj vjetor të imunizimeve për fëmijët, duke përfshirë vaksinën për COVID-19, përveç atyre kundër gripit dhe RSV-së.

“Foshnjat dhe fëmijët 6 deri në 23 muaj janë në rrezikun më të lartë për sëmundje të rënda nga COVID-19,” thuhet në njoftimin e AAP-së. “Duke pasur parasysh këtë, AAP rekomandon vaksinën COVID-19 për të gjithë fëmijët nga 6 deri në 23 muaj për të ndihmuar në mbrojtjen nga sëmundjet serioze.”

Përveç kësaj, AAP sugjeron një dozë të vetme të vaksinës për fëmijët dhe adoleshentët mbi 2 vjeç që janë në rrezik të lartë për sëmundje të rënda, nuk janë vaksinuar më parë ose jetojnë me persona që kanë rrezik të lartë, përcjell Fox News.

“Rekomandojmë gjithashtu vaksinën për fëmijët 2-18 vjeç që nuk hyjnë në këto kategori rreziku, por prindërit ose kujdestarët e tyre dëshirojnë mbrojtjen që ofron vaksina,” shtoi AAP.

Sean O’Leary, M.D., kryetar i Komitetit të Sëmundjeve Infektive në AAP, tha: “Vendimi për të kaluar te një rekomandim i bazuar në rrezik për fëmijët e shëndetshëm më të rritur është për shkak se norma e hospitalizimeve për fëmijët e vegjël dhe ata me sëmundje të mëparshme mbetet e lartë, në përputhje me normat e shumë sëmundjeve të tjera që parandalohen me vaksina.”

Në maj 2025, sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., njoftoi heqjen e vaksinës COVID-19 nga orari rutinë i imunizimeve të CDC-së për fëmijët e shëndetshëm dhe gratë shtatzëna. Sipas udhëzimit të ri të CDC-së, vendimi për vaksinim bëhet përmes diskutimit klinik të përbashkët mes prindërve dhe mjekut, duke vlerësuar përfitimet dhe rreziqet për secilin rast.

Orari i AAP-së përfshin imunizime kundër 18 sëmundjeve, të rekomanduara për të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën 18 vjeç. AAP thekson se orari i saj ndryshon nga rekomandimet e fundit të Advisory Committee on Immunization Practices (ACIP) të CDC-së.