
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti një “ditë të madhe” të hënën, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe aleatët kryesorë europianë mbërritën në Uashington për një takim të rëndësishëm që synon t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë pasojnë samitin që Trump zhvilloi të premten e kaluar në Alaskë me presidentin rus Vladimir Putin.
Pas këtij takimi, Trump bëri të ditur se negociatat për një armëpushim janë lënë mënjanë, duke u përqendruar në një marrëveshje paqeje të shpejtë, teksa lufta e nisur nga Moska ka hyrë në vitin e katërt, përcjell Euronews.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për mundësinë e lëshimeve ndaj Rusisë, e cila besohet se ka përsëritur kërkesat maksimale, duke përfshirë marrjen e plotë të katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe mbajtjen e gadishullit të aneksuar ilegalisht, Krimesë.
Kjo ka vënë në alarm mbështetësit europianë të Kievit, të mbledhur rreth asaj që po quhet “Koalicioni i të Gatshmëve”.
Në takimin e së hënës marrin pjesë kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.
Po ashtu, të pranishëm janë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.