
Numri i të vdekurve nga një shpërthim i pashpjegueshëm javën e kaluar në një fabrikë në rajonin Ryazan të Rusisë është rritur në të paktën 20, me 134 persona të tjerë të plagosur, thanë shërbimet e emergjencës të hënën.
Pavel Malkov, guvernator i rajonit Ryazan që shtrihet në juglindje të Moskës, tha të premten e kaluar se incidenti ishte shkaktuar nga një zjarr që shpërtheu brenda një punishteje në fabrikë.
Por nga raportimet e mediave ruse nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin ose çfarë prodhonte fabrika. Burime zyrtare ruse nuk dhanë hollësi përtej përpjekjeve për të gjetur dhe trajtuar të plagosurit. Disa media raportuan se ishte një uzinë eksplozivësh, por Reuters nuk ishte në gjendje ta verifikonte menjëherë këtë informacion.
Pamjet video të publikuara nga Ministria e Emergjencave treguan pjesë të uzinës të shkatërruara plotësisht, me ekipet e shpëtimit që punonin mes grumbujve gjigantë të rrënojave me qen nuhatës.
Në një video tjetër, psikologët u shfaqën duke punuar me banorët vendas për të ofruar këshillim.