Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria Speciale e Kosovës ndalon një të dyshuar për krime lufte në Vushtrri


Të dielën, Prokuroria Speciale e Kosovës ndaloi një person me inicialet S.S në pikëkalimin kufitar Merdare, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës, përcjell REL.

Sipas komunikatës zyrtare, i ndaluari dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” në komunën e Vushtrrisë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi kombësinë e tij.

Më herët gjatë javës, Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, në një konferencë për media në Prishtinë, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Aktgjykimi i parë në mungesë u dha në dhjetor 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, shumica shqiptarë. Trupat e qindra shqiptarëve të vrarë u gjetën në varreza masive në Serbi, të bartura nga forcat serbe për të fshehur krimet.