Vendosni fjalën kyçe....

Policia bllokon 35 mjete lundruese gjatë operacioneve në bregdet, shpëtohen 19 pushues



Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë vijuar kontrollet në kuadër të sezonit turistik, duke bllokuar gjatë javës së fundit
35 mjete lundruese nga veriu në jug të vendit. Mes tyre u konstatua edhe një mjet i pazakontë – një makinë e kuqe e kthyer në Jet Ski, e dyta e këtij lloji e sekuestruar këtë sezon.

Gjatë operacioneve, policia shpëtoi gjithashtu 19 pushues shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të shkeljeve të rregullave të sigurisë në det.

Sipas njoftimit zyrtar, u kontrolluan në total 525 mjete lundruese, prej të cilave 35 u bllokuan: 22 Jet Ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji. Shumica e tyre u kapën duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Drejtuesit u gjobitën me nga 100 mijë lekë secili.

Një rast i veçantë u regjistrua në Ksamil, ku u gjet një gomone e braktisur, e cila rezultoi e vjedhur në Lefkadha të Greqisë. Hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë në bashkëpunim me autoritetet greke.

Policia bëri apel për respektimin e rregullave të lundrimit: të mos shkelet perimetri i sigurisë, të përdoren vetëm zonat e lejuara dhe mjetet të jenë të pajisura me elementët e shpëtimit. Qytetarët dhe pushuesit u ftuar gjithashtu të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.