Vendosni fjalën kyçe....

Kultivuan kanabis, pranga dy personave në Shkodër


Kultivuan kanabis, pranga dy personave në Shkodër, shkatërrohen 7000 bimë

Dy persona janë arrestuar në Shkodër pasi akuzohen për mbjelljen e 2200 bimëve kanabis.

Në pranga kanë rënë 35-vjeçari Angjelin Ripaj dhe 42-vjeçari Kujtim Ripaj ndërsa në kërkim janë shpallur tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për kryetarët e fshatrave Vilz, Ura e Shtrenjtë e Domen.

Njoftimi

“Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike U kapën në flagrancë, në parcelën ku kishin kultivuar 1299 bimë narkotike dhe 1000 fidanë, në fshatin Rogam, dhe u vunë në pranga 2 shtetas. Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shpërdorim të detyrës, 3 kryetarë fshatrash. Ndërsa gjatë operacionit në qarkun e Shkodrës janë asgjësuar mbi 7000 rënjë kanabis.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1726 bimë dhe 1000 fidanë të dyshuar narkotikë, të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, u kapën në flagrancë në parcelë shtetasit A. R., 35 vjeç, dhe K. R., 42 vjeç, banues në Njësinë Administrative Kastrat, të afërm me njëri-tjetrin. Ata u kapën në flagrancë pasi, në afërsi të banesave të tyre, kishin kultivuar 7 parcela me 1299 bimë dhe 1000 fidanë. Këta shtetas u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gjithashtu, në afërsi të banesës së shtetasit K. R., u gjet një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 2713 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vilz, shtetasin F. L.; për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjtë, shtetasin R. M.; dhe për kryetarin e fshatit Domen, shtetasin R. B.

Në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 2592 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër”.