Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Masakra e Qafë Valmirit është një nga më të rëndat e diktaturës, shqiptarët të mos harrojnë martirët


Sot, në 76-vjetorin e masakrës së Qafë Valmirit, qyteti i Mirditës ka nderuar kujtimin e 14 martirëve të pushkatuar dhe varur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ceremonia përkujtimore u zhvillua në prani të qytetarëve, familjarëve të të rënëve, si dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe pushtetit vendor.

Në aktivitet morën pjesë nënkryetari i PD-së dhe deputeti i zonës, Agron Gjekmarkaj, deputetët Elda Hoti dhe Gjin Gjoni, si dhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, të cilët vendosën kurora me lule në nderim të viktimave.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një mesazh përmes rrjeteve sociale, e cilësoi ngjarjen si një nga masakrat më të rënda të diktaturës komuniste. Ai kujtoi se më 17 gusht 1949, forcat e udhëhequra nga Mehmet Shehu ekzekutuan barbarisht 14 burra nga familjet më të njohura të Mirditës, duke i pushkatuar dhe varur në litar.

Berisha theksoi se pas kësaj masakre, qindra familje mirditore u përndoqën dhe u internuan në kampet e Tepelenës dhe vende të tjera, ndërsa mbi 600 burra e gra u martirizuan gjatë 46 viteve të regjimit për shkak të besimit dhe bindjeve të tyre.

“Shqiptarët nuk duhet të harrojnë sakrificën e martirëve të Mirditës, të cilët dhanë jetën për liri, besimin në Zot dhe atdheun,” u shpreh Berisha, duke lexuar emrat e 14 viktimave të Qafë Valmirit.