Vendosni fjalën kyçe....

Zyra e Macron: Liderët e “koalicionit të gatshëm” mblidhen të dielën para vizitës së Zelensky-t në Uashington


Liderët e ashtuquajturit “koalicioni i gatshëm” do të zhvillojnë një takim virtual të dielën pasdite, përpara vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Uashington të hënën, njoftoi të shtunën presidenca franceze.

Takimi do të bashkëkryesohet nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer, bëri të ditur zyra e Macron, përcjell The Guardian.

Ndërkohë, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, paralajmëroi se beteja për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e Europës ka hyrë në një “fazë vendimtare”, duke u bërë thirrje vendeve perëndimore që të ruajnë unitetin kundër presidentit rus Vladimir Putin, të cilin e cilësoi si një “lojtar tinëzar dhe i pamëshirshëm”.

“Loja për të ardhmen e Ukrainës, sigurinë e Polonisë dhe gjithë Europës ka hyrë në një fazë vendimtare. Sot është edhe më e qartë se Rusia respekton vetëm të fortët, dhe Putini e ka dëshmuar sërish se është një lojtar tinëzar dhe i pamëshirshëm. Prandaj është thelbësore që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar,” tha Tusk.

Sipas tij, më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump kërkoi në minutën e fundit që presidenti polak i linjës konservatore, Karol Nawrocki, të merrte pjesë në videokonferencën mbi Ukrainën me liderët europianë, në vend të kryeministrit centrist Tusk, që ishte parashikuar fillimisht.

Nawrocki, një nacionalist konservator dhe euroskeptik, është aleat i lëvizjes populiste të djathtë Maga të Trump dhe vizitoi Shtëpinë e Bardhë gjatë fushatës presidenciale në Poloni këtë vit.