Vendosni fjalën kyçe....

Trump flet me Zelenskyn dhe udhëheqësit e NATO-s pas samitit me Putinin në Alaskë


Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike të gjatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, menjëherë pas takimit të tij me Vladimir Putinin në Anchorage të Alaskës, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se telefonata me Zelenskyn ishte “e gjatë” dhe se më pas Trump ishte në kontakt edhe me udhëheqësit e NATO-s.

Nuk u dhanë detaje të tjera mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Raportimet e mediave amerikane theksojnë se Zelensky e konfirmoi vetë bisedën, duke thënë se ajo zgjati mbi një orë e gjysmë dhe se Ukraina mbështet takime trepalëshe me pjesëmarrjen e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.

Ai shtoi se Evropa duhet të jetë pjesë e këtyre negociatave në çdo fazë.

Sipas burimeve të Axios, Zelensky pritet të takohet me Trump në Uashington që të hënën, përcjell The Guardian.

Ky zhvillim vjen pas samitit të profilit të lartë në Alaska, i cili përfundoi pa një marrëveshje konkrete për Ukrainën, pavarësisht deklaratave të Trump dhe Putin se kishin bërë “progres”.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Trump u shpreh: “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, duke nënvizuar se arritja e një armëpushimi varet nga Zelensky: “Ai duhet të bëjë një marrëveshje.”

Putin, nga ana tjetër, e përshkroi takimin si “produktiv” dhe tha se kishte arritur një mirëkuptim me Trump, ndërsa e ftoi presidentin amerikan në Moskë për raundin e ardhshëm të bisedimeve.