Vendosni fjalën kyçe....

Inteligjenca Artificiale po përmbys industrinë e reklamave


E ardhmja mund të jetë një botë ku IA krijon reklamat, i targeton dhe i lexon vetë. Ndërkohë, ekspertët e reklamave në Kanë duhet ta shijojnë festën, sa ende vazhdon, shkruan The Economist

Industria e reklamave di ta shesë veten më mirë se çdo gjë tjetër.

Kjo aftësi u shfaq qartë në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve në Cannes Lions International Festival of Creativity, një nga ngjarjet më prestigjioze në botë për reklamën, marketingun dhe krijimtarinë tregtare, që nisi më 16 qershor.

“Reklama jo vetëm që zgjeron kufijtë krijues, por tregon ndikimin e prekshëm që mund të ketë krijimtaria mbi biznesin dhe shoqërinë”, deklaroi një zyrtar i lartë i festivalit.

Çmimet u ndanë me solemnitet për fushata që promovonin birrën, çokollatën dhe madje edhe Fondacionin e Herpesit në Zelandën e Re.

Por një industri, që vlerëson krijimtarinë njerëzore, po përballet me një tronditje të madhe nga Inteligjenca Artificiale (IA).

Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta, ka premtuar se së shpejti markat do të mund të “na tregojnë çfarë objektivi duan të arrijnë, sa duan të paguajnë për çdo rezultat, dhe pastaj ne bëjmë gjithçka tjetër”.

Ndërkohë, Sam Altman nga OpenAI, beson se “95% e asaj që sot ekspertët e marketingut e kërkojnë nga agjencitë, strategët dhe profesionistët krijues, do të realizohet lehtësisht, pothuajse menjëherë dhe me kosto minimale nga IA”.

Teknologjia e ka përmbysur industrinë e reklamave edhe më parë këtë shekull, kur buxhetet kaluan nga televizioni, gazetat dhe media tradicionale drejt gjigantëve dixhitalë si Google dhe Meta.

Por tani që IA po hyn në pjesën krijuese të industrisë, dikur e konsideruar e paprekshme nga automatizimi, po nis një revolucion i ri. Kush do të dalë në krye dhe a do të arrijnë ekspertët në Kanë të ruajnë stilin e jetës luksoze që i ka karakterizuar deri tani?

Festat në jahte dhe pritjet buzë pishinave lënë të kuptohet se tregu i reklamave është në gjendje të mirë.

Sipas WPP Media, një blerës i madh reklamash, shpenzimet globale për reklama po rriten me ritëm të qëndrueshëm dhe pritet të kenë rreth 6% rritje në vit për tre vitet e ardhshme./Monitor