Vendosni fjalën kyçe....

Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje në ‘5 Maji’, PD akuzon policinë për mosveprim dhe korrupsion


Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, bëri publike një tjetër rast të denoncuar nga qytetarët për ndërtim pa leje në Tiranë.

Sipas saj, objekti ndodhet në rrugën “Dervish Luzha”, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën “5 Maji”.

Pamjet e siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm. Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por pa marrë asnjë reagim.

E njëjta situatë, sipas denoncimit, përsëritet edhe me strukturat inspektuese përgjegjëse në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilat janë informuar për shkeljen, por nuk kanë ndërhyrë.

Sipas banorëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura “nën dorë” nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, duke bërë që shkelja e ligjit të injorohet.

“Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe të veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit,” tha Vangjeli.

foto galeri