
Rusia do të testojë raketat e saj bërthamore lundruese në një stërvitje, e cila, nëse rezulton e suksesshme, pritet të shërbejë si mjet presioni në negociatat me vendet perëndimore. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, pak para samitit Trump–Putin që do të mbahet në Alaska, përcjell YNetNews, duke cituar Reuters.
Ai nuk dha një afat se kur mund të ndodhë testi dhe nuk shpjegoi se si ka arritur në këtë përfundim.
Agjencia Reuters, duke cituar dy studiues amerikanë dhe një burim të sigurisë perëndimore, raportoi se Moska po përgatitet të testojë këto raketa në Novaja Zemlja, në veriun e Rusisë. Studiuesit kanë paraqitur imazhe satelitore që tregojnë aktivitet të shtuar në zonë, si dhe prani të madhe personeli dhe pajisjesh të ngjashme me ato të përdorura në testime të mëparshme.