
Sundimtarët ushtarakë të Malit thanë të enjten se kanë arrestuar një grup të përbërë nga personel ushtarakësh dhe civilësh, përfshirë dy gjeneralë malianë dhe një agjent të dyshuar francez, të akuzuar për përpjekje për të destabilizuar vendin.
Njoftimi pasoi thashethemet e ditëve të fundit për arrestime të oficerëve të ushtrisë maliane dhe u bë nga ministri i Sigurisë i Malit, Gjenerali Daoud Aly Mohammedine në lajmet e mbrëmjes në median lokale. Ai siguroi publikun se një hetim i plotë ishte duke u zhvilluar dhe se “gjendja është plotësisht nën kontroll”.
Kjo vjen në mes të një goditjeje të vijueshme ndaj disidentëve në ushtrinë e Malit pas një tubimi kundër qeverisë në maj, i pari që kur ushtarët morën pushtetin gati katër vjet më parë.
Ushtria dha pak hollësi rreth komplotistëve të dyshuar të grushtit të shtetit, çfarë përfshinte ai dhe shtetasit francez të përfshirë në të, përveç identifikimit të të arrestuarit si Yann Vezilier. Ministri i Sigurisë tha se francezi veproi “në emër të shërbimit të inteligjencës franceze, i cili mobilizoi udhëheqësit politikë, aktorët e shoqërisë civile dhe personelin ushtarak” në Mali.
Nuk pati asnjë njoftim të menjëhershëm nga Franca, ish-sukolonizatorja e Malit, për arrestimin e shtetasit të saj, shkruan Independent.
“Qeveria kalimtare informon publikun kombëtar për arrestimin e një grupi të vogël elementësh margjinalë të forcave të armatosura dhe të sigurisë së Malit për vepra penale që synojnë destabilizimin e institucioneve të Republikës”, tha Mohammedine.
Televizioni kombëtar transmetoi foto të 11 personave që tha se ishin anëtarë të grupit që planifikoi grushtin e shtetit. Ministri identifikoi gjithashtu dy gjeneralët malianë që ai tha se ishin pjesë e komplotit.
Mali, së bashku me Burkina Fason dhe Nigerin fqinjë, ka luftuar prej kohësh një kryengritje nga militantë të armatosur, përfshirë disa të lidhur me al-Kaidën dhe grupin e Shtetit Islamik.
Pas dy grushteve të shtetit ushtarak, junta në pushtet dëboi trupat franceze dhe në vend të kësaj iu drejtua Rusisë për ndihmë sigurie. Por gjendja e sigurisë mbetet e pasigurt dhe sulmet nga grupet ekstremiste të lidhura me al-Kaidën u intensifikuan në muajt e fundit.