
Të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një tren u përplas me një cisternë me llum dhe doli nga shinat në jug të Danimarkës, njoftuan zyrtarët për BBC.
Policia tha se aksidenti ndodhi mes qyteteve Tinglev dhe Kliplev, në rajonin e Jutlandit jugor, dhe se forcat e rendit ndodhen në vendngjarje.
Sipas televizionit lokal TV2, në zonë janë dërguar helikopterë, ndërsa zyrtarë hekurudhorë deklaruan se treni është përplasur me një cisternë me llum në një kalim hekurudhor.
Operatori kombëtar i hekurudhave DSB bëri të ditur se shërbimet hekurudhore midis Tinglev dhe Sønderborg, pranë kufirit me Gjermaninë, janë ndërprerë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një nga vagonët e trenit të përmbysur, ndërsa pasagjerët qëndrojnë pranë binarëve. Në bord ndodheshin 95 pasagjerë, mes tyre edhe nxënës të një shkolle në Sønderborg. Dy nga të plagosurit u transportuan me helikopter.
Agjencia kombëtare hekurudhore Banedanmark konfirmoi në platformën X se përplasja ndodhi në një kalim hekurudhor. Sipas mediave lokale, të paktën dy vagonë të trenit kanë dalë nga shinat.