
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot se zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë 72 orëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke prekur 207 banesa, prej të cilave 40 janë shkatërruar plotësisht.
Në një komunikim live për situatën, kreu i qeverisë u shpreh se po kryhet inventarizimi i plotë i dëmeve dhe se asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e shtetit.
Ai theksoi se kompensimi do të përfshijë jo vetëm banesat, por edhe dëmet në bagëti, që deri tani përllogariten në 3 619 krerë të humbur.
“72 orët e fundit ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën zhvillim më të madh sesa çdo herë tjetër më parë në këtë moment. Në radhë të parë dua t’ju shpreh ngushëllim atyre që humbën të afërmin e vet dhe gjithë solidaritetin atyre familjeve që kanë humbur shtëpinë nga zjarri. Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje që e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime, se po bëjmë inventarizimin e plotë dhe, siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të mbetet vetëm, pa e pasur në krah qeverinë dhe shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë,” deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se edhe dëmet në blegtori do të mbulohen nga shteti. “Deri tani numërohen 3 619 krerë të humbur, do të kompensojmë një për një, pa asnjë diskutim, ndërkohë që inventarizimi vazhdon,” theksoi ai.
Rama gjithashtu komentoi se situata e zjarreve nuk është vetëm problem i Shqipërisë, por edhe i vendeve të tjera, si Spanja dhe Turqia. “Nuk ka forcë magjike që ndal zjarret,” tha ai.