Vendosni fjalën kyçe....

Starmer pret Zelenskyn në Londër, një ditë para samitit SHBA-Rusi në Alaska


Kryeministri britanik Keir Starmer priti të enjten në Londër Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Të dy udhëheqësit u përshëndetën ngrohtësisht para zyrës së kryeministrit në Downing Street nr. 10, pa dhënë deklarata për mediat.

Vizita e Zelenskyy-t në Britani vjen një ditë pasi ai mori pjesë në takime virtuale nga Berlini me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe liderë evropianë.

Gjatë këtyre diskutimeve, udhëheqësit thanë se Trump i kishte siguruar se përpjekja për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë do të ishte prioritet në takimin e tij me Presidentin rus Vladimir Putin, të premten në Anchorage të Alaskës.

Përpara takimit të së enjtes, Starmer tha se mund të vendosen sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse Putini nuk angazhohet.

“Është e rëndësishme t’u kujtojmë kolegëve se ne jemi të gatshëm të rrisim presionin mbi Rusinë, veçanërisht mbi ekonominë, me sanksione dhe masa më të gjera sipas nevojës”, tha Starmer.